Paketa e maleve, Ministri Demo: Presim 1000 aplikime, zona më e kërkuar
Nisma për investime në zonat malore ka arritur 200 aplikime dhe synon të kapë 1000 deri në fund të vitit, me fokus turizmin dhe agroturizmin.
200 aplikime dhe 100 zona prioritare
“Paketa e maleve”, iniciativa e qeverisë e prezantuar në fillim të vitit të kaluar për të nxitur investimet e shqiptarëve të diasporës në pronat e tyre, ka arritur në 200 aplikime. Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, në një intervistë për gazetaren Rajmonda Lajthia në emisionin “E-ZONE”, deklaroi se me ritmet aktuale pritet që deri në fund të vitit numri i aplikimeve të shkojë në rreth 1000.
Sipas tij, aktualisht janë përcaktuar 100 zona me përparësi zhvillimi, të shtrira në 20 bashki të vendit, ndërsa procesi vijon edhe në bashki të tjera për identifikimin e territoreve të reja ku mund të investohet. Bashkia me interesin më të lartë rezulton Shkodra, e ndjekur nga Vau i Dejës dhe Kukësi, ndërsa kërkesa shtrihet nga veriu në jug të vendit.
Ministri theksoi se pritshmëritë janë që aplikimet të tejkalojnë kufirin prej 500 përfituesish, të cilët do të kenë akses në përjashtime nga katër taksa kryesore.
Turizmi dhe agroturizmi në fokus
Sa i përket profilit të aplikantëve, fokusi kryesor i projekteve lidhet me turizmin, veçanërisht me agroturizmin, njësitë e shërbimit dhe strukturat e akomodimit. Sipas Demës, shumica e aplikantëve në fazën e parë janë persona që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pronën dhe territorin ku synojnë të investojnë.
Mes tyre ka shqiptarë të diasporës që ruajnë lidhjet me zonën e origjinës, por edhe individë rezidentë në Shqipëri që duan të zhvillojnë projekte në pronat e tyre.
Lehtësira fiskale dhe pronë me 1 euro
Paketa parashikon që 500 aplikantët e parë të përzgjidhen për përfitime fiskale, duke përfshirë përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, tatimi mbi të ardhurat, taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe TVSH për transaksionet që lidhen me projektin.
Një element tjetër i skemës është mundësia që prona të jepet me vlerë simbolike 1 euro, edhe në rastet kur mungon titulli i pronësisë, me kusht që investimi të realizohet dhe pronari ta fitojë të drejtën pas përmbushjes së detyrimeve të parashikuara.